BMW-ja në sulm për aksionet e Audisë te Bayerni
“Lufta” për futbollin duket se do ta përfshijë edhe botën automobilistike, më konkretisht kompanitë e njohura gjermane të prodhimit të makinave, BMW dhe Audi.
Sipas së përditshmes gjermane “Bild”, drejtuesit e BMW-së kërkojnë t’i blejnë kuotat e aksioneve që ka Audi te Bayern Munchen, që është klubi më i rëndësishëm i Gjermanisë dhe një ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Gjithnjë sipas së përditshmes “Bild”, BMW-ja kërkon t’i blejë kuotat prej 8.33 % të aksioneve të Audit në klubin “bavarez”, për një vlerë që e kalon shifrën e 100 milionë eurove. Vetë drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë e shohin me sy të mirë këtë transaksion, që do të thotë një ndarje me Audin, pjesë e grupit Volkswagen, të përfshirë vitet e fundit në skandalin e madh “Dieselgate” që solli edhe arrestimin e ish-presidentit të tij.
Pronësia e Bayernit është e ndarë në këtë mënyrë: 75 % e aksioneve janë në zotërim të klubit, ndërsa tri nënndarje kuotash prej 8.33 % janë në zotërim të sponsorëve kryesorë të Bayernit. “Allianz” që i ka dhënë edhe emrin stadiumit,“Adidas”, që furnizon skuadrën me veshjet sportive; si dhe Audi, marka zyrtare e makinave të Bayernit. BMW-ja kërkon të jetë pjesë e klubit në vend të Audit, por problemi qëndron pikërisht te Volkswageni, që duket se nuk do t’ia lehtësojë gjërat BMW-së për kryerjen e këtij transaksioni.