BMW zbulon një makinë që ndryshon ngjyrë me prekjen e një butoni (Foto)
BMW prezantoi një makinë kameleon që ndryshon ngjyrë, në përpjekjen e fundit të shtëpive automobilistike për të ndërthurur automjetet e tyre me një teknologji avangardë.
Shtëpia automobilistike gjermane tha se “po i jepte jetë karrocerisë”, me mbështjelljen e zhvilluar posaçërisht për modelin e saj S\UV i gjithi elektrik iX, që përdor të njëjtën teknologji të e-reader Kindle të Amazon.
Me prekjen e një butoni, drejtuesi mund të ndryshojë nuancën e jashtme të makinës, duke lejuar që ngjyra të ndryshojë midis së zezës dhe së bardhës, ose edhe me vija të bardha apo të zeza, duke aktivizuar bojën elektronike në guaskën mbështjellëse.
“Ju vendosni se çfarë doni të vishni, se cili është statusi juaj në mediat sociale – dhe ju mund të zgjidhni aspektin e makinës suaj” – tha Stella Clarke, përgjegjëse e projektit BMW për automjetin. Clarke shtoi se teknologjia mund të përdoret për të lokalizuar automjetin, duke e bërë atë të pulsojë kur shoferi e kërkon, ose për të shfaqur nga jashtë kapacitetin e baterisë së automjetit.
Sipas BMW, efekti krijohet duke aplikuar një ngarkesë elektrike te mikrokapsulat – të cilat përmbajnë grimca pigmentesh të bardha dhe të zeza – që qëndrojnë pezull brenda një lëngu i cili përfshihet në mbështjellëse. Ngjyra alternohet në varësi të faktit nëse aplikohet një ngarkesë negative ose pozitive, duke bërë që pigmentet e bardha ose të zeza të mblidhen në sipërfaqen e mikrokapsulës.
Makina koncept, e cila nuk është e disponueshme për shitje në publik, u prezantua në panairin e përvitshëm Consumer Electronics Show (CES) në Las Vegas, ku shtëpitë automobilistike prezantojnë gjithnjë e më shumë produktet e tyre, krahas kompanive të smartphoe-ve, pajisjeve dhe ekraneve televizive.
Kompania për makineri bujqësore John Deere, zbuloi në CES, një traktor autonom që kontrollohet nga smartphone; Sony zbuloi planet për të krijuar një shoqëri për makina elektrike, kurse Mercedes-Benz zbuloi konceptin e një makine elektrike, me autonomi 1000 kilometra, thuajse dyfishi i distancës së një Tesla Model S.
Apple, e cila nuk merr pjesë në këtë panair, po punon për një makinë elektrike me drejtim autonom, që sipas një raporti të fundit, mund të prezantohet në vitin 2025.
Produktet e reja të shfaqura nga kompanitë e elektronikës së konsumit në CES këtë javë përfshijnë një projektor portativ Smart TV nga Samsung; një shtëpi autonome me rrota nga LG, si dhe emrin zyrtar të kufjeve të reja të realitetit virtual të Sony, të cilat do të quhen PlayStationVR2.
Shumë njoftime produktesh janë bërë virtualisht, pasi pjesëmarrësit e rregullt si Google, Microsoft, Intel dhe Meta u tërhoqën nga pjesëmarrja fizike për shkak të frikës nga Covid-19.