Boateng: Ja pse u largova nga Gjermania
Kevin Princ Boateng është hero në Frankfurt. Ai zhvilloi një sezon fantastik me Ajntrahtin dhe ndihmoi ekipin ta fitonte Kupën e Gjermanisë në finalen me Bayern Munchenin, ku dha asistimin për Rebiqin në golin e fitores.
Një festë e madhe për tifozët dhe klubin, sepse kishte 30 vjet që skuadra nuk fitonte një trofe. Në fund të sezonit zgjodhi të largohej dhe rikthehej në Itali, për të qenë më afër familjes që jeton në Milano, por jo vetëm.
31-vjeçari zgjodhi Sassuolon dhe tregon për gjermanen “Bild” shkaqet e këtij vendimi, si dhe flet për maturimin si futbollist dhe njeri. “Krahasuar me Frankfurtin, këtu kam autostradën gati për Milano. Këtu janë makaronat, që janë shumë, por shumë të mirë. Së fundmi shkova në një restorant për të ngrënë dhe përfundova në kuzhinë duke përqafuar kuzhinierin. Nuk është normal një ushqim i tillë, por duhet të tregohem i kujdesshëm që të mos marr shumë yndyra. Më duhet të them që në 3-4 sezonet e fundit po impenjohem më shumë. Më parë nuk isha kaq i mirë sa i përket disiplinës. Gjithmonë duhet të jesh profesionist dhe jashtë fushës. Karrierës sime për momentin i jap notën shtatë, ndonjëherë i afrohem tetës, por ka edhe raste kur kam zbritur poshtë pesës”, ka thënë Boateng, duke shtuar: “Nuk e lashë Gjermaninë vetëm për të qenë afër familjes, por edhe sepse u largua trajneri Kovaç. Para së gjithash, sepse dëshiroja të lija një kujtim të bukur në një ekip gjerman. Është shumë i bukur fakti që një ditë mund të rikthehem në Frankfurt dhe njerëzit do të më prisnin më krahë hapur. Më në fund u largova vetë dhe nuk më larguan të tjerët”.