Bogujevci mes emocionesh: 25 vjet më parë isha një vajzë gjysmë e gjallë, s’e kisha pjesën më të madhe të familjes
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Bogujevci ka thënë se 12 qershori është ditë emocionuese për të, teksa ka kujtuar se në këtë ditë, 25 vjet më parë ishte e shtrirë në Spitalin e Prishtinës, bashkë me fëmijët e axhës së saj, Gencin, Jehonën e Lirinë, të gjithë të plagosur rëndë.
“Para 12 qershorit të vitit 1999, spitali ishte zbrazur nga shumica e mjekëve dhe motrave medicinale. Pat mbetur vetëm një pjesë e vogël që qëndruan. Në ato momente morëm lajmin që kanë hyrë forcat e NATO-s”.
“E kam kujtesën e freskët nga ajo kohë. Më kujtohet që një natë më parë ishte një errësirë, dëgjoheshin të shtëna por e ndjeva një qetësi shpirtërore. Në atë kohë mendoja që edhe nëse ndodh dicka e keqe, unë nuk do të trembesha”, ka thënë Bogujevci.
Më tutje, ajo në një moment është emocionuar kur e ka përmendur familjen e saj, e cila ishte vrarë gjatë luftës në atë që sot njihet si masakra në familjen Bogujevci.
“Para 25 viteve isha një vajzë e brishtë, gjysmë e gjallë, me zemër të thyer, sepse nuk e kisha pjesën më të madhe të familjes. Por sot, sot para jush dhe bashkë me ju, ndihem e privilegjuar dhe krenare që mund t’i shërbejë popullit dhe vendit tonë”.
“Çdo 12 qershor e shënoj bashkë me ju fitoren e humanitetit përballë mizorisë. Fitoren e së drejtës përballë padrejtësisë së gjatë. Fitoren e njerëzve të mirë e të guximshëm të Kosovës, përballë aparatit gjenocidal dhe fitoren e popujve të juaj që ishin pran nesh për të na çliruar e na ndihmuar në këtë ditë”, ka thënë Bogujevci, raporton “KK”.
Bogujevci ka thënë se Kosova e ka paguar shumë shtrenjtë lirinë, jo vetëm në luftën e fundit, por me dekada e gjenerata.
“Fatkeqësisht edhe sot Serbia, që nuk ndjen asnjë keqardhje për krimet që i ka bërë, na krijon pengesa e beteja të vazhdueshme, duke mos na lënë që t’i shërojmë plagët. Por ne, sot e përgjithmonë do të mbajmë mend se këtë ditë, me gjithë kujtimet, përherë do ta festojmë, të gjithë së bashku, me miqtë tanë që na dolën në krah dhe mbështetën luftën tonë çlirimtare”, ka thënë Bogujevci.