Bogujevci: Personat me aftësi të kufizuara përballen çdo ditë me sfida të llojllojshme

15 tetor 2022 | 17:52

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka marrë pjesë në konferencën për shënimin e Javës së Njeriut me Shkop të Bardhë në Republikën e Kosovës, të mbajtur sot në Prishtinë.

Në fjalën e saj nënkryetarja Bogujevci tha se ky vit është shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit, pasi që kjo ka qenë edhe njëra ndër kërkesat e rezolutës për personat me aftësia të kufizuar, e miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në dhjetor 2020.

Sipas nënkryetares Bogujevci, Kuvendi është zotuar për përmirësimin e kuadrit kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive për personat me aftësi të kufizuar në Kosovë.

“Jam e vetëdijshme që personat me aftësi të kufizuar përballen çdo ditë me sfida të llojllojshme, si mungesë të infrastrukturës së përshtatshme, arsimit, punësimit, burimit social e kujdesit të duhur shëndetësor. Prandaj për ne si institucione nuk do të duhej të mjaftonte vetëm një ditë që të flasim për sfidat me të cilat kjo kategori ballafaqohet çdo ditë”, tha Bogujevci.

Nënkryetarja Bogujevci tha se Kuvendi si institucion e ka tejkaluar kuotën ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, duke përmendur se në mesin e rreth 200 shërbyesve civilë në Kuvend, gjashtë prej tyre janë persona me aftësi të kufizuara, shifër kjo që padyshim, siç tha ajo, nuk duhet të mjaftojë.

Sa u përket personave të verbër, nënkryetarja Bogujevci kumtoi lajmin se Kuvendi tashmë ka publikuar dokumentin kryesor me të cilin funksionon, rregulloren e re të punës, edhe në alfabetin Brail në të dy gjuhët zyrtare, me mbështetjen e OSBE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 41 persona kanë mbetur të vdekur pas një…