Bojkoti i punës në ‘Trepçë’, shkaktoi humbje ditore rreth 40 mijë euro
U.D. kryeshefi ekzekutiv i ‘Trepça’-s, Enis Abdurrahmani, tha se bojkoti i punës nga punëtorët në ‘Trepçë”, kësaj ndërmarrje po i shkakton humbje ditore rreth 40 mijë euro.
“Ndërmarrja ‘Trepça’ është korporatë e cila, qëllim primar ka maksimizimin e fitimit dhe rritjes së vlerës së aksioneve të saja. Në gjysmën e parë të vitit 2023, ndërmarrja ‘Trepça’ është ballafaquar me krizë e rënies së çmimeve të metaleve në bursë si dhe me rënien e produktivitetit”, tha ai.
Sipas tij, përkundër rënies së të hyrave si rezultat i dy faktorëve të cekur më lart, ndërmarrja ‘Trepça’, i ka ekzekutuar pagat e punëtorëve në tërësi, falë subvencioneve të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Trepça si shoqëri aksionare po ristrukturohet, në muajt që lëmë pas, ndërmarrja i është nënshtruar ristrukturimit dhe sistematizimit në të gjitha njësitë biznesore të saja. Rezultatet e ristrukturimit do të shihen në muajt në vijim përmes rritjes së produktivitetit dhe të hyrave financiare, si dhe reduktimit të shpenzimeve”, tha ai.
Duke shtuar se “Trepça” shpejt pritet të miratojë një rregullore të pagave, që kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të produktivitetit, prodhimit dhe të hyrave, kjo rregullore do të mundëson edhe shpërblimin punëtorëve përmes bonuseve, në rastet kur do të tejkalohet plani i të hyrave financiare.
“Këto dy ditë si pasojë e vonesës së ekzekutimit të pagave për punëtorët e ndërmarrjes, kemi pas bojkotim të punës nga ana e punëtorëve. Përkundër premtimit të menaxhmentit se pagat do të ekzekutohen të hënën, falë subvencione të ndara nga Ministria e Ekonomisë për punëtorët e ndërmarrjes ‘Trepça’. Kjo papërgjegjshmëri e punëtorëve e manifestuar përmes bojkotit në punë, ndërmarrjes po i shkakton humbje ditore rreth 40 mijë euro. Menaxhmenti tashmë i ka marr të gjitha masat e nevojshme ligjore për të sanksionuar veprimet e dëmshme si rezultat i bojkotit në punë. Për bojkotin në punë është njoftuar Policia e Kosovës përmes tyre edhe prokurori i rastit. Të hënën, nga menaxhmenti i ndërmarrjes do të ndërmerren të gjitha veprimet tjera ligjore sipas ligjeve të Republikë së Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, për menaxhmentin e ndërmarrjes, bojkoti dhe sabotimi në punë është i papranueshëm, si rezultat për dëmet dhe humbjet materiale dhe financiare ndaj ndërmarrjes do të japin llogari para drejtësisë të gjithë akterët, personat fizik apo juridik./RTK