Bojkoti i shkarkimit të kryetarëve nga Lista Serbe, Rohde: Rast i qartë i presionit ndaj qytetarëve në veri
Vendimi i Listës Serbe për mospjesëmarrje në votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore, ka shtyrë për reagim ambasadorin gjerman, Jorn Rohde.
Në një prononcim për “Telegrafin”, Rohde ka thënë se është shqetësuese kjo qasje e këtij subjekti.
“Më 21 prill, organet zgjedhore kosovare do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, ka thënë Rohde.
Politikën e këtij subjekti Rohde e ka quajtur “bojkot dhe dorëheqje”, duke e cilësuar edhe si një tjetër autogol nga Lista Serbe.
“Për mua, politika e Listës Serbe në 18 muajt e fundit mund të përmblidhet fare sinqerisht në dy fjalë: ‘bojkot dhe dorëheqje’. Kjo është katastrofike, një dëmtim për të gjithë qytetarët e komunave veriore dhe një tjetër autogol nga Lista Serbe, sigurisht që kjo nuk ndihmon për të siguruar që ne do të kemi në veri kryetarë që përfaqësojnë plotësisht elektoratin të cilit i shërbejnë”, tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur që votimi të mbahet më 21, pasi kishte verifikuar nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Sipas udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.