Bojkoti, si shantazh ndaj institucioneve për asociacionin
Çdo shantazh dhe çdo bojkotim i institucioneve të Kosovës nga përfaqësuesit e Listës Serbe, duhet parë si një instruksion që vjen nga Beogradi zyrtar, kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Ognjen Gogiq.
Sipas tyre, Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb të Kosovës në institucionet e nivelit qendror si dhe ka pushtetin në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe, është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi zyrtar, nga i cili edhe merr instruksionet për veprimet që bën.
Lista Serbe ka bojkotuar tri mbledhjet e fundit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm për të marrë vendimin për caktimin e seancës së radhës. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të martën, më 16 nëntor, kur Lista Serbe për herë të fundit ka bojkotuar punimet e kryesisë.
“Ma merr mendja që Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhduar kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne. Ne nuk pranojmë kurrfarë shantazhi në kryesinë e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Konjufca në një konferencë për media.
Më 17 tetor, kur Lista Serbe nga Mitrovica e Veriut shpalli fitoren në zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe, kryetari i këtij subjekti politik, Goran Rakiq deklaroi se lufta e kësaj partie është e përqendruar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Në qoftë se nuk do të ketë Asociacion, nuk do të ketë as institucione të Kosovës”, ka thënë Rakiqi, duke shtuar se kjo do të ndodhë në rast se bisedimet për asociacionin nuk do të nisin deri në muajin nëntor.
“Radio Evropa e Lirë” ka bërë përpjekje të kontaktojë Sllavko Simiqin, por edhe zyrtarët tjerë të Listës Serbe për t’i pyetur nëse kërcënimi i tyre i muajit tetor për t’i braktisur institucionet e Kosovës, është duke u realizuar. Por, ata nuk kanë qenë të qasshëm.
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, ka thënë për “Rel”-in se veprimet e përfaqësuesve të Listës Serbe, fillimisht në kryesinë e Kuvendit, janë sinjale që Lista Serbe ka nisur të ndjekë politikat e bojkotit ndaj institucioneve të Kosovës. Por, sipas tij, veprimet e Listës Serbe, marrë parasysh mbështetjen ekskluzive që merr nga Beogradi zyrtar, janë të instrumentalizuara dhe të diktuara nga ky i fundit.
“Po, këto janë indikacione, por vendimi definitiv për bojkotimin ose jo të punës së Kuvendit dhe të Qeverisë nga ana e Listës Serbe do të merret pas një koordinimi me faktorët relevantë që kanë ndikim në vendimmarrjen dhe funksionimin e kësaj liste. Asnjë vendim i Listës Serbe nuk duhet të konsiderohet si vendimmarrje e tyre, por si një instruksion që vjen nga Beogradi”, ka thënë Muhaxhiri.
Ndërsa politologu serb, Ognjen Gogiq, ka vlerësuar se Lista Serbe deri më tash në disa raste ka treguar se bojkotin, braktisjen dhe kërcënimet për braktisje të institucioneve i kanë mënyrë të veprimit politik.
“Unë do të befasohesha në qoftë se ata do të ishin konstruktivë. Por, ato kërcënime dhe ato akte të bojkotimit janë gjithmonë të kufizuar dhe të kontrolluara, dhe ata gjithmonë janë të kujdesshëm që të mos shkojnë shumë larg me ato veprime. Pra, ata gjithmonë gjejnë një mes që të mos sjellin paralizim të institucioneve dhe të mos e destabilizojnë së tepërmi jetën politik, por që me ato aksione ta marrin vëmendjen. Kështu është sërish rasti. Pra, kërcënimi që është drejtuar në tetor, pas zgjedhjeve, se do t’i braktisin institucionet ose që do t’i bojkotojnë për shkak të Asociacionit, është përsëritur disa herë dhe është një e shtënë në ajër”, ka thënë Gogiq.
Ai ka theksuar se kërcënime të ngjashme ka pasur edhe më parë nga Lista Serbe, por që përfaqësuesit e saj sërish janë kthyer në institucione sikurse nuk ka ngjarë asgjë.
Më herët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se nuk do të ketë formim të asociacionit, për shkak se ai do të ishte njëetnik. Sipas tij një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se problemi me Asociacionin “nuk është në ndonjë akt ligjor, por problemi është te faktet që Kurti nuk po i kupton”. Ai edhe më herët ka këmbëngulur që asociacioni duhet të formohet sipas marrëveshjes së Brukselit. Megjithatë, Vuçiqi deri më tash asnjëherë publikisht nuk e ka përmendur mundësinë e braktisjes së institucioneve të Kosovës nga Lista Serbe.