Bojkotohet Kurti, AKK-ja: Është e domosdoshme përfshirja e komunave
Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë mbajtur takim me disa nga kryetarët e komunave të Kosovës, për të diskutuar rreth situatës me Covid-19.
E siç duket Kurtit, ky takim nuk i ka shkuar siç është më së miri, pasi shumica e kryetarëve të komunave e kanë bojkotuar takimin.
Krejt kjo ka ardhur pasi që Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) në mënyrë unanime ka vendosur që kryetarët e komunave mos të marrin pjesë në takim. Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahim, në një prononcim për “Ekonomia Online”, ka thënë se bordi deri të ky vendim ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës, nuk ka dhënë ndonjë sqarim për largimin e AKK-së nga komiteti anti-Covid.
“Dje Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes medieve ka qenë i informuar se Qeveria e Kosovës e ka themeluar komitetin anti-Covid, ku AKK-ja në të kaluarën ka qenë anëtare e komitetit, dhe në mënyrë të veçantë e ka hekë Asociacionin e Komunave të Kosovës si anëtar i komitetit anti-Covid, dhe ne nuk kemi marrë ndonjë arsye apo nuk e kanë obligim të na informojnë mirëpo kemi qenë kurioz se përse AKK-ja që ka dhënë një kontribut të mos jetë pjesë e këtij komiteti, dhe për këtë arsye kryetarët e komunave me mekanizmat tonë komunikues kanë shprehur indinjatën e tillë dhe ka qenë iniciativë e tillë që në takimin që është ftuar nga kryeministrit Kurti të mos jenë prezent, kryetarët e komunave kanë shprehur edhe disa zhgënjime ku kanë theksuar se në shumicën e rasteve kërkesat që bëhen nuk po marrin përgjigje dhe me këtë kanë dashur të tregojnë se niveli qendror sa herë që donë të merr një vendim që i prek kompetencat e komunave duhet t’i konsultojë paraprakisht komunat”, ka thënë ai për “EO”.
Ibrahimi ka treguar se i ka shkruar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia për arsyen e largimit të AKK-së nga komiteti anti-Covid, por sipas tij ende nuk ka marr një përgjigje.