Bojku: Ta vazhdojmë këtë seri të suksesshme
Besmir Bojku ka thënë për “Epokën e re” se Feronikeli është i përgatitur që ta vazhdojë serinë e rezultateve pozitive deri në fund të kampionatit.
Mesfushori i Feronikelit, Besmir Bojku, ka thënë të hënën për “Epokën e re” se skuadra kampione në fuqi e Superligës duhet ta vazhdojë formën e mirë që ka aktualisht deri në fund të kampionatit.
Pas rikthimit të futbollit, pas pauzës së gjatë për shkak të pandemisë Covid-19, Feronikeli ka regjistruar dy fitore në kampionat ndaj Vushtrrisë (3-1) dhe Dukagjinit (0-2), kurse në gjysmëfinalen e parë të Kupës kundër Ballkanit në Suharekë luajti baras 0-0.
“Kemi një seri të mirë të rezultateve dhe shpresojmë që të vazhdojmë këtë seri. Ne do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe në secilën prej tyre të hymë me seriozitetin më të madh sikurse të ishin finale”, ka thënë Bojku. Ndeshjen e radhës “Nikli” e zhvillon kundër Ballkanit. Lidhur me synimet në këtë ndeshje, Bojku është shprehur mjaftë i matur, duke thënë se skuadra që drejtohet nga Ismet Munishi është ndër më të mirat në vend.
“Për Ballkanin nuk duhet harxhuar shumë fjalë pasi e ka një ekip shumë të mirë dhe padyshim se janë ndër skuadrat më të mira në vend”, ka deklaruar ai. Bojku, i cili ka treguar formë të mirë në këtë edicion, kontratë me kampionët e Kosovës ka deri në fund të këtij kampionati. I pyetur për të ardhmen, mesfushori nuk ka dhënë shumë detaje, pasi aktualisht është i fokusuar në ndeshjet e mbetura të kampionatit 2019/2020. “Kontrata më përfundon në fund të kampionatit. Tash për tash nuk mund të them se ku do të vazhdoj të luaj në sezonin e ardhshëm, pasi fokusi im është në ndeshjet e mbetura”, ka thënë ai.
Feronikeli është në kërkim të daljes së Evropë nëpërmjet garës së Kupës, por edhe në kampionat me gjashtë pikët e marra nga dy ndeshjet është rikthyer seriozisht në garë për dy pozitat e para. Ardhja e Afrim Tovërlanit në krye të skuadrës nga Drenasi e ka kthyer këtë klub në rrugën e duhur dhe kandidat për daljen në garat evropiane.
(Veton ZYMBERI)