Boksierët fitojnë pesë medalje në Kampionatin Ballkanik
Kosova ka fituar pesë medalje në Kampionatin Ballkanik të boksit që është mbajtur në Antalia të Turqisë.
Një e artë, dy të argjendta dhe dy të bronzta ka qenë bilanci i përfaqësueses së Kosovës.
Donjeta Sadiku ka dalë e artë, në kategorinë deri 64 kilogramë, ku ishin tri boksiere në total. Ajo mposhti në gjysmëfinale rumunen Dana Borzei, ndërsa në finale turken Selma Caliskan, medalisten e bronztë të Botërorit 2018 në New Delhi.
Medalje të argjendta kanë fituar Shpëtim Bajoku dhe Besart Pireva. Në kategorinë e Bajokut, atë deri 63 kilogramë, morën pjesë shtatë garues. Bajoku në çerekfinale mposhti bullgarin Vensan Kirkorov, ndërsa në gjysmëfinale rumunin George Dumitrescu. Në finale u ndal nga turku Erdermir Han Tugrul.
Besart Pireva po ashtu në kategorinë deri 75 kilogramë pësoi në finale nga një boksier vendas. Ai u mposht nga Serhat Guler. Ai mposhti boksierin rumun Lonut Borgovan dhe atë maqedonas Goce Janeski, para se të ndalej në finale.
Medalje të bronzta kanë fituar Patriot Behrami dhe Bashkim Bajoku. Bajoku fitoi të bronztën në kategori deri 52 kilogramë, ndonëse humbi luftën e parë. Në kategorinë e tij ishin katër garues. Behrami ndërkohë është ndalur në gjysmëfinale në kategorinë deri 69 kilogramë.