Boksieri, Altin Zogaj është gati për hapin më të madh në karrierën e tij profesioniste në boks
Zogaj bokson për titullin e kampionit të Evropës: Jam gati për meçin më të rëndësishëm, mbështetja nga shqiptarët është motiv për mua.
Zogaj do të luftojë më kundërshtarin nga Italia, Riccardo Valentino, atje ku kërkon lavdinë e madhe dhe epitetin e kampionit të Evropës në Federatën e IBO, me meçin që do të zhvillohet më 17 qershor në Stuttgart të Gjermanisë.
Kundërshtari nuk është aspak i lehtë, por boksieri shqiptar ka punuar intensivisht dhe është përgatitur maksimalisht për këtë luftë shumë të rëndësishme.
Altini ka shifra të “frikshme” , pasi në kategorinë e tij ka regjistruar 11-të fitore nga 11 ndeshje, duke mos humbur e as barazuar në asnjë prej tyre.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Zogaj tha se është shumë i përgatitur për këtë meç dhe për ta ‘rrëmbyer’ epitetin e kampionit, pavarësisht që kundërshtari nuk është aspak i lehtë.
“Do të boksoj për titullin e kampionit të Evropës në federatën IBO dhe kam më shumë se 3 muaj që po stërvitem intensivisht për këtë meç. Kjo përballje është më e rëndësishme se të gjitha të tjerat në karrierën time. Këtë herë do të përballem me kundërshtarin tim të detyruar nga federata IBO për këtë titull, i cili ka 7 meçe dhe 6 prej tyre i ka fituar me KO“, tha fillimisht ai.
Më pas, ai tha se në këto momente ka nevojë për mbështetjën e madhe të shqiptarëve, sepse kjo mbështetje është një energji e shtuar drejt suksesit për të.
“Në këtë moment, mbështetja e bashkatdhetarëve të mi shqiptarë kudo që janë në botë më jep energji dhe fuqi për të mposhtur kundërshtarin tim. Faleminderit mediave shqiptare dhe sponsorëve të mi që më qëndrojnë besnikë në këtë moment të rëndësishëm”, përfundoi Zogaj.
Kujtojmë se Zogaj ka gjatësinë dhe goditjet e duhura për meçe të nivelit të tillë, me shqiptarët që mund të presin një tjetër titull nga duart e tij.