Bolt: Tani jam kampion në domino dhe prodhoj muzikë, ja trofeu i parë që kam marrë

07 prill 2025 | 15:25

“Unë jam njeriu më i shpejtë në botë, por tani jam në pension. Nuk do të doja të bëja asgjë, por gjithmonë ka diçka për të bërë”. Kështu u shpreh Usain Bolt, rekordmeni botëror në 100 dhe 200 metra.

Ish-sprinteri xhamajkan ka fituar 11 medalje ari në Kampionatin Botëror dhe 8 medalje ari në Olimpiadë. Ai shprehet se edhe pse ka arritur gjithë këto rezultate e mban këto rekorde, ai mund të kishte arritur më shumë.

“Kam fituar shumë, por mund të kisha bërë edhe më mirë për të ecur më shpejt. Asnjëherë nuk u shqetësova për rekordet. Më pëlqente të fitoja, të garoja dhe gjithashtu të argëtohesha”, shprehet Bolt. Më tej, ai rrëfen: “Mbaj mend fitoren time të parë. Isha rreth 7 vjeç por ishte dikush që ishte më i shpejtë se unë. Trajneri më tha ‘nëse e mund do të jap një kuti për të futur drekën’ dhe unë fitova. Kujtimet nuk mund të fshihen”.

“Rritja në fshat ishte një gjë e mrekullueshme që më bëri të bëhesha personi që jam sot. Gjithmonë mallëngjehem kur kujtoj kohën e kaluar. Të dish që arrita të bëja kaq shumë njerëz të lumtur është një ndjenjë e mrekullueshme”, ka pohuar xhamajkani. “Tani luaj domino, nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 18:00. Luaj me miqtë. Po mundohemi të bëjmë diçka ndryshe. Bëjmë turne domino në Xhamajka, por unë jam kampion midis miqve të mi. Dhe unë jam producent muzikor. Nuk këndoj, por prodhoj muzikë dhe kushedi, ndoshta një ditë do të fitoj një Grammy”, ka deklaruar Bolt.

Lojërat Olimpike të Londrës ishin momenti më i lartë i karrierës së tij: “Kishte një mbështetje të çmendur, kaq shumë xhamajkanë. Nuk kam parë kurrë një stadium kaq të mbushur nga mëngjesi në mbrëmje”. Sot Bolt është 38 vjeç dhe ka tre fëmijë, por nuk e ëndërron një të ardhme për ta në atletikë. “Nëse vendosin të vrapojnë duhet të bëjnë atë që bëri babi. Djemtë nuk janë të shpejtë, vajzat janë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot i jepet lamtumira e fundit 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula,…