Boltoni: Do ta shtrydhim Iranin
Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Michael Bolton është zotuar se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, do ta shtrydhë Iranin me presion të madh ekonomik, për shkak të, siç ka thënë të sjelljes “keqdashëse” të tij në Lindjen e Mesme dhe në gjithë botën.
Boltoni këto komente i ka bërë në një intervistë ekskluzive për “Radion Evropa e Lirë”, pas takimit me kryeministrin armen, Nikol Pashinian, në Jerevan.
“Siç i thashë edhe kryeministrit, duam të bëjmë presion maksimal mbi Iranin, sepse ai nuk ka hequr dorë nga synimi për krijimin e armëve bërthamore”.
“Irani mbetet bankieri kryesor në botë i terrorizmit ndërkombëtar. Dhe, ne jemi të shqetësuar për programin e tij me raketa balistike dhe për operacionet e tij ushtarake në Siri, Irak dhe gjetkë”, ka thënë Boltoni.
“Do ta shtrydhim Iranin, sepse mendojmë se sjellja e tij në Lindjen e Mesme dhe në fakt globalisht është keqdashëse dhe duhet të ndryshojë”, ka thënë zyrtari i lartë amerikan.
Në muajin maj, Trumpi e ka tërhequr ShBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe ka rikthyer sanksionet ekonomike kundër tij.
Irani vazhdimisht ka thënë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.