Boltoni: Maturia e ShBA-së ndaj Iranit nuk është dobësi
Këshilltari për siguri kombëtare i Shteteve të Bashkuara, John Bolton, ka thënë se Irani nuk duhet të “ngatërrojë maturinë e ShBA-së dhe ta marrë atë si dobësi”.
Duke folur në një takim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Jerusalem, Boltoni ka thënë se askush nuk i ka thënë Iranit “licencë gjuetie në Lindjen e Mesme”.
Komentet e Boltonit vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka anuluar sulmet ajrore ndaj caqeve brenda Iranit, pasi Teherani ka rrëzuar një dron amerikan. Trumpi ka thënë se këto sulme nuk do të ishin kundërpërgjigje “proporcionale” pasi do të mund të vriteshin iranianë.
Boltoni ka theksuar se Trumpi ka ndaluar “vetëm këtë herë sulmet”.
Ky paralajmërim i Boltonit vjen në kohën kur mediet kanë raportuar se ShBA-ja ka kryer sulm kibernetik ndaj sistemeve kompjuterike të ushtrisë iraniane më 20 qershor, vetëm pak orë pasi Irani ka rrëzuar dronin amerikan.
Teherani ka thënë se droni amerikan kishte shkelur hapësirën ajrore të tij, ndërkaq ShBA-ja ka insistuar se droni, në momentin kur është rrëzuar, gjendej mbi ujërat ndërkombëtare në Ngushticën e Hormuzit.