Boltoni: Nuk ka takim Trump-Putin derisa Rusia mban anijet ukrainase
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, ka thënë se nuk do të ketë takim mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin derisa Moska ende mban tri anije ukrainase dhe ekipet e tyre që ka zënë afër Krimesë.
“Unë nuk shoh kushte që një takim i tillë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt derisa anijet dhe ekipet e tyre të mos lirohen”, u ka thënë Bolton gazetarëve më 13 dhjetor.
Më 25 nëntor, Rusia ka aneksuar tri anije të Kievit dhe 24 marinarë në Ngushticën e Kërçit, që lidh Detin e Zi dhe Detin Azov.
Moska pretendon se anijet kanë hyrë ilegalisht në ujërat territorialë të Rusisë afër rajonit të Krimesë, të cilin Rusia e ka pushtuar më 2014.
Ukraina dhe shumica e vendeve anëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nuk e pranojnë këtë aneksim.
NATO-ja është zotuar se do të mbështesë anijet ukrainase, teksa Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg ka thënë më 13 dhjetor se “Rusia duhet të lirojë menjëherë marinarët dhe anijet që ka aneksuar, si dhe të ofrojë lëvizje të lirë të anijeve drejt portit të Ukrainës përmes Detit Azov”.
“Kjo është shenjë e sjelljes destabilizuese të Rusisë”, ka thënë Stoltenberg.
“Ne dënojmë ashpër aneksimin e Krimesë nga Rusia”.
Putini dhe Trumpi kanë diskutuar për pak, gjatë samitit të Grupit të Shteteve më të Industrializuara, që është mbajtur në Argjentinë më 1 dhjetor, ka thënë Kremlini.
Pak para nisjes së samitit, Trumpi pati deklaruar se ai nuk do të mbajë një samit vetëm me Putinin, duke përmendur incidentin në Ngushticën Kërç.