Bombarduesit rusë fluturojnë afër Japonisë
Dy bombardues strategjikë rusë kanë fluturuar mbi Detin e Japonisë për më shumë se shtatë orë, tha Ministria ruse e Mbrojtjes më 21 mars, në ditën kur kryeministri japonez zhvillon vizitë në Ukrainë.
Avionët e llojit Tupolev Tu-95MS janë të aftë të bartin armë bërthamore dhe Moska vazhdimisht i përdor ata për të kryer fluturime në ujërat ndërkombëtare në Arktik, në Atlantikun e Veriut dhe në Paqësor për të treguar forcën e saj.
Megjithatë, koha kur bombarduesit fluturuan mbi Detin e Japonisë është pikërisht kur kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida nis vizitën në Ukrainë, për t’i ofruar mbështetje dhe për të shprehur solidaritet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, shteti i të cilit po përballet me pushtimin rus.
Rusia tha se bombarduesit kryen “fluturime të planifikuara”. Ato, sipas Moskës shoqëruan disa avionë luftarakë. Bombarduesit nuk shkelën ligjet ndërkombëtare dhe fluturuan mbi ujërat neutrale, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
Në shkurt, forcat e mbrojtjes ajrore të Amerikës së Veriut u dërguan për të penguar disa bombardues strategjikë rusë dhe avionët luftarakë, të cilët po fluturonin mbi hapësirën ajrore afër Alaskës.
Japonia, që ka mosmarrëveshje territoriale me Moskën lidhur me disa ishuj në veri të Paqësorit, është aleate kyçe në Azi e Shteteve të Bashkuara dhe është anëtare e Grupit të Shtatë demokracive të pasura.
Tokio i është bashkuar sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë, pasi ajo nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022.