Bombola e gazit, shkaktare e zjarrit në banesën e djegur në Prishtinë
Banesa e cila është përfshirë nga zjarri sot në Prishtinë dyshohet se është shkaktuar nga një bombolë gazi.
Latif Zeka, komandat i Brigadës së zjarrfikësve për rajonin e Prishtinës, ka thënë se përveç një gruaje e cila për shkak të tymit ka pasur probleme me frymëmarrje, të lënduar tjerë nuk ka pasur.
Sipas tij, zjarrfikësit kanë arritur ta fikin zjarrin që kishte rënë.
Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për zjarrin që është shkaktuar në njërën nga banesat në rrugën “Afrim Vitija” afër Parkut të Qytetit.
Sipas komunikatës së Policisë, zjarri është lokalizuar shpejt nga ana e zjarrfikësve.
Policia ka bërë me dije se bëhet fjalë vetëm për dëme materiale edhe pse në momentin kur ka shpërthyer zjarri, brenda banesës kanë qenë katër persona.
Aktualisht Policia është duke bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes. (Ksp)