Bondsteel, shtylla kryesore e misionit në mbarë Kosovën
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka mbajtur ceremoninë e ndërrimit të komandës rajonale në lindje, përkatësisht në kampin Bondsteel, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dorëzimi i flamurit të NATO-s u bë mes komandantit në largim, kolonel Kenneth Walker dhe kolonelit Jason Baker, komandantit të ardhshëm, ka njoftuar KFOR-i nëpërmjet një komunikate.
Komandanti Oezkan Ulutash ka shprehur vlerësimin e tij për kolonelin Walker për shërbimet dhe udhëheqjen e tij.
“Integrimi, bashkëpunimi dhe koordinimi juaj me të gjithë homologët në fushën e përgjegjësisë kanë qenë të jashtëzakonshme për të mbështetur përpjekjet e gjera të KFOR-it drejt sigurisë së qëndrueshme”, ka thënë ai.
Komandanti i KFOR-it i uroi kolonel Bakerit mandat të suksesshëm, duke theksuar bindjen në aftësinë e “personelit të ri amerikan për të vazhduar ta bëjë Komandën Rajonale Lindje një shtyllë kryesore të misionit të KFOR-it në mbarë Kosovën”.
Në ceremoni morën pjesë autoritetet civile dhe ushtarake, duke përfshirë edhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.