Bondsteeli dhe Universiteti
Driton Lajçi
Baza Ushtarake Amerikane e NATO-së dhe KFOR-it në Bondseel ofron për afro dy dekada siguri, paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon. Përpos sigurisë që ofron për qytetarët dhe kufijtë e Kosovës, Kampi Bondsteel ka ndihmuar edhe në aspekte të tjera përfshirë edhe punësimin e shumë qytetarëve tanë. Buxheti i Kosovës është kursyer me qindra miliona euro meqenëse ata kanë mbuluar aspekte të sigurisë se Kosovës në mungesë të Ushtrisë sonë.
Me këtë rast dua të ndaj diçka që nuk është shumë e njohur për publikun e Kosovës. Në Kampin Ushtarak Bondsteel për vite të tëra u zhvillua proces arsimor nga University of Maryland College of Europe në Qendrën Arsimore Laura Bush. Aty pata privilegjin që të jem pjesë e atij Universiteti për disa vite me radhë ku e veçanta e kësaj përvoje ishte mësimdhënia për studentët e Ushtrisë Amerikane. Prandaj, ushtarët amerikanë përveç ruajtjes së sigurisë tonë ata na besuan edhe në fuqinë tonë intelektuale.
Bondsteeli mbetet simbol i lirisë, paqes, sigurisë, edukimit dhe mbështetjes së zhvillimit të vendit tim.