Bonucci i bashkohet stafit të Kombëtares italiane
Fillon një “jetë” e re për Leonardo Bonuccin. Ish-mbrojtësi është gati të rikthehet në kombëtare, me një rol krejtësisht të ri. Pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur verën e kaluar, ai tani do t’i bashkohet stafit të Italia U-20, si bashkëpunëtor i trajnerit Bernardo Corradi.
Pra, historia e Bonuccit me axurrët vazhdon, pasi debutoi me kombëtaren e të rriturve më 3 mars 2010 në moshën 22-vjeçare. Në total, me fanellën axurre ai ka luajtur 121 ndeshje dhe ka shënuar 8 gola.
Një aventurë që kulmoi me triumfin europian në “Wembley” më 2021 kundër Anglisë.
Dëshira për t’u bërë trajner po merr gjithnjë e më shumë formë tek ai. Nga viti i ardhshëm ish-numri 19 do të jetë në gjendje të vërë në dispozicion përvojën e tij për talentet e Italia U-20 gjatë Botërorit që do të zhvillohet në Kili. Synimi është të “hakmerret” për humbjen e fundit më 2023 kundër Uruguait.