Bora shkakton kaos në Suedi, bllokohen mbi 1 000 automjete në rrugë (video)

04 janar 2024 | 16:58

Njerëzit që janë ngujuar në afro 1 000 vetura të bllokuara në borë për më tepër se 24 orë në një prej rrugëve kryesore të Suedisë janë evakuuar, kanë njoftuar autoritetet suedeze, transmeton “BBC”.

Ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë natës për të evakuuar personat e ngujuar në rrugën kryesore “E22” në zonën Skane në jug të Suedisë.

Shumë nga të ngujuarit janë evakuuar nga ekipet e shpëtimit dhe u është thënë të kthehen më vonë te veturat e tyre.

Kaosi u shkaktua pas rënies së temperaturave nëpër shtetet nordike.

Moti ekstrem ka goditur disa pjesë të Suedisë, Finlandës dhe Norvegjisë, dhe stuhitë e borës në Danimarkë kanë bllokuar shoferët në autostradë në afërsi të Aarhusit që nga e mërkura.

Stacioni meteorologjik Kvikkjokk-Arrenjarka në veri të Suedisë ka regjistruar natën më të ftohtë në 25 vjetët e fundit të martën, ku temperaturat arritën në minus 43.6 gradë Celsius.

Ekipet e shpëtimit kanë thënë se të gjithë personat që ishin duke udhëtuar me vetura janë evakuuar dhe vetëm shoferët e kamionëve kanë mbetur në kamionët e tyre deri të enjten në mëngjes.

Çrregullimet në rrugën kryesore “E22” nisën rreth orës 9 të mërkurën, pasi reshjet e shumta të borës e bënë të pakalueshme këtë rrugë në të dy drejtimet mes Horbyt dhe Kristianstadit. Qindra vetura mbetën të ngujuara në borë.

“Është kaos total”, ka thënë zëdhënësja e policisë, Evelina Olsson.

Pastruesit e borës arritën të mërkurën mbrëma dhe policia e ekipet e shpëtimit punuan gjatë natën për të zhbllokuar qindra persona që ishin bllokuar në veturat e tyre. Disa kishin probleme shëndetësore, përfshirë edhe diabet.

Erika Sepeliovaite i ka thënë uebfaqes suedeze “Aftonbladet” se ajo dhe dy fëmijët e saj, si dhe qeni, u evakuuan pas 19 orëve.

Malin Johansson 56-vjeçar, nga Ahusi, ka thënë se ajo dhe partneri i saj e ndiznin veturën herë pas here për ta mbajtur të ngrohtë. Ajo i tha “Expressen” se u shpëtua rreth orës 4:30 të mëngjesit të enjten.

Ushtria suedeze ka zbarkuar për të shpërndarë ushqim dhe ujë te personat e ngujuar.

“Problemi është se po bie shumë borë dhe rruga po mbulohet me borë vetëm gjysmë ore pasi po pastrohet”, ka thënë Olsson.

Të enjten shumë nga veturat janë zhbllokuar, ndonëse ende ka kamionë të bllokuar. Policia ka thënë se kushtet kanë nisur të përmirësohen, por ka shtuar se rruga nuk do të pastrohet dhe hapet tërësisht deri të premten në mëngjes rreth orës 8.

Autobusët dhe trenat kanë pezulluar punën në rajonin Skane të enjten në mëngjes dhe autoritetet u kanë bërë thirrje personave të evitojnë udhëtimet e panevojshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti,…