Bordi Drejtues i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë viziton Kurtin
Kryeministri Albin Kurti ka pritur të mërkurën në takim Bordin Drejtues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASh), kryesuar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti.
Duke biseduar për vendimin për aplikimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, kryeministri Kurti theksoi se i përgjigjet thirrjes dhe aspiratave të qytetarëve të Republikës që thellësisht besojnë se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian.
U theksua besimi se momenti është i duhur, duke marrë parasysh faktin se Kosova është vendi më demokratik në rajon.
Delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë shprehu mbështetjen e pakursyer për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
U bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të nismave në mbështetje të proceseve integruese të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shprehu kënaqësinë dhe përkrahjen e plotë për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.