Bordi i FMN-së për Kosovë ka mirëpritur performancën e mirë ekonomike të Kosovës dhe reformat që janë ndërmarrë
Bordi i FMN-së ka mirëpritur përformancën e mirë ekonomike të Kosovës dhe reformat që janë ndërmarrë, si dhe i ka bërë thirrje autoriteteve që t’i përshpejtojnë edhe më shumë reformat strukturore.
Këto komente kanë dalë nga përmbyllja e suksesshme e Mbledhjes së Bordit të FMN-së për Kosovë ku është diskutuar rreth raportit të stafit të FMN-së “Konsultimet e Artikullit IV me Kosovën”. Po ashtu, pas vlerësimit të performancës, anëtarët e Bordit e kanë aprovuar edhe kalimin e Kosovës nga Artikulli XIV në Artikullin VIII.
Sa i përket politikave fiskale, Bordi u pajtua se politikat fiskale mbeten adekuate dhe se rregulla fiskale siguron ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale në vend. Duke u ndërlidhur me sektorin financiar, Bordi vuri në pah progresin e madh të arritur në sektorin financiar dhe e përshëndetën implementimin e rekomandimeve të Programit të Vlerësimit të Stabilitetit Financiar që është realizuar në vitin 2012.
Bordi vlerësoi pozitivisht zhvillimet në sistemin financiar të Kosovës, ku theks i veçantë u vu mbi rritjene kreditimit, përmirësimin e kornizës së mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit financar. Një vlerësim i përgjithshëm pozitiv u theksua edhe për përmirësimet e viteve të fundit në raportin e Bankës Botërore “Doing Business”, në të cilin Kosova ka avancuar në shumë fusha të rëndësishme për përmirësimin e ambientit afarist, përfshirë edhe qasjen në financa.
Kumtesën për media të Bordit të drejtorëve të FMN-së, së bashku me raportin e stafit të FMN-së “Konsultimet e Artikullit IV me Kosovën”, mund ta gjeni në vegzën e internetit në vijim: http://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2018/02/05/Republic-of-Kosovo-2017-Article-IV-Consultation-Press-Release-Staff-Report-and-Statement-by-45612