Bordi i AKP-së aprovoi pranim-dorëzimin e ekonomive pyjore tek Agjencia Pyjore e Kosovë
Me qëllim të ruajtjes së fondit të pyjeve në Kosovë, Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në takimin e rregullt që ka mbajtur, ka aprovuar dorëzimin e Ndërmarrjes Ekonomia Pyjore me mijëra hektar tek Agjencia Pyjore e Kosovës në përputhje me Ligjin mbi Pyjet.
Përveç kësaj ky bord ka aprovuar planin e punës dhe të performancës së AKP-së për vitin 2024, duke theksuar që viti 2024 do të jetë vit i përmbylljes së AKP-së në përputhje me strategjinë e aprovuar tashmë.
Në këtë takim gjithashtu u shqyrtua edhe raporti mujor për Brezovicën, për të cilën bordi kishte aprovuar investime shtesë në riparimin e pajisjeve të cilat do të shërbejnë për një resort më të mirë skijimi dhe renovimin e Hotel Molikës me qëllim të përmirësimit të shërbimeve për vizitorët e shumtë që pritet të ketë gjatë sezonit të dimrit. Për më tepër Bordi i AKP-së ka kërkuar nga menaxhmenti që të merren të gjitha masat e nevojshme për t’u mundësuar pushuesve një turizëm të përshtatshëm dimëror.
Ndër të tjera Bordi i AKP-së ka aprovuar propozimet e menaxhmentit për të lejuar Komunën e Podujevës për rrënimin dhe largimin e gërmadhave nëpër ngastrat e ndryshme kadastrale, të cilat tashmë kanë marr karakter për të mirën publike dhe do të shpronësohen nga Komuna e Podujevës.
Gjithashtu Bordi i AKP-së ka aprovuar edhe kërkesa tjera nga Autoriteti i Likuidimit për heqje dorë nga asetet të cilat tashmë shfrytëzohen për të mirën publike por mbahen ende në regjistrat e Ndërmarrjeve Shoqërore të menaxhuara nga AKP-ja.