Bordi i drejtorëve i KRU “Prishtina”, porosi komunës dhe MMPH-së: Mbrojeni dhe ruajeni këtë resurs ujor jetik për qytetarët tanë

16 janar 2020 | 17:15

Gjatë ditës së sotme bordi i drejtorëve i Ujësjellësit të Prishtinës KRU “Prishtina”, bashkë me kryeshefin ekzekutiv Ilir Abdullahu dhe sekretarin e kompanisë Salih Gjonbalaj ishin për vizitë te liqeni i Badocit.

Liqeni i Badocit është një liqe akumulues sipërfaqësor nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm 30 % e konsumatorëve në zonën operative Graçanica, Çagllavica, Hajvalia, Veterniku, Miradia e Epërme, një pjesë e Prishtinës si: Mati 1, Bregu i Diellit, Kolovica, Sofalia, Toukbashqe dhe  Zllatari.

Vizita e tyre sot kishte të bënte me njohjen më për së afërmi të rënies së nivelit të ujit në këtë liqe, mbi 10 metra nga kuota maksimale dhe mundësitë më të mira për menaxhimin e situatës nëse situata aktuale përcillet edhe më tej me thatësi në vendin tonë.

Kryesuesi i bordit të drejtorëve, Betim Berisha, duke ritheksuar rëndësinë dhe vlerat e pamohueshme të liqenit të Badocit, për një pjesë të konsiderueshme të konsumatorëve në zonën shërbyese operative, tha se “uji është burim natyror shumë i nevojshëm për ekonomi dhe mirëqenien sociale dhe që të gjithë ne jemi përdorues të ujit të pijshëm, andaj në të njëjtën kohë jemi edhe përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e burimeve ujore dhe se këto akumulacione varen nga reshjet atmosferike”.

Në të njëjtën kohë ata apeluan edhe tek institucionet, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, që të kenë kujdes për mbrojtjen dhe ruajtjen e këtij resursi ujor jetik për qytetarët tanë. “Liqenet akumuluese janë tuajat, andaj t’i ruajmë pafundësisht”! ka bërë thirrje bordi i drejtorëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ditës nga Gjilani e ka transferuar futbollistin e…