Bordi i Drejtorëve merr vendim për shpalljen e konkursit për kryeshef të “Trepçës” pas grevës 10 ditore
Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të ndërmarrjes “Trepça” ka njoftuar se në mbledhjen e jashtëzakonshme të së dielës, ku është diskutuar për situatën e krijuar pas grevës 10 ditore të minatorëve, ka marrë vendim për hapjen e konkursit për kryeshef të kombinatit metalurgjik duke marrë parasysh se kjo pozitë ka qenë me ushtrues detyre për një periudhë pothuajse 2 vjeçare.
Në këtë mbledhje, sipas një njoftimi të lëshuar nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve në llogarinë zyrtare në “Facebook” të dielën në mbrëmje, anëtarët e bordit të drejtorëve kanë marrë vendim që të formohet komisioni për të paraqitur gjendjen e saktë të kushteve të punës dhe të punohet në identifikimin dhe ofrimin e kushteve më të mira të punës për minatorët.
Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve ka rekomanduar që të punohet në ngritjen e përfomances së ndërmarrjes “Trepça” për të siguruar stabilitet financiar dhe rrjedhimisht, paga mujore e punonjësve të ekzekutohet jo më vonë se data 10 e muajit pasues, derisa kanë njoftuar edhe për shqyrtimin e vendimeve konform rregullave dhe ligjeve në fuqi pas situatës së fundit.
Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kanë hyrë në grevë më 24 tetor në kërkim të kushteve më të mira të punës, shkarkimin e menaxhmentit dhe ekzekutimin e pagave të tyre me kohë, ndërsa kanë ndërprerë grevën 10 ditore pas arritjes së marrëveshjes me disa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) mbi kushtet e tyre në orët e hershme të së premtes.