Bordi i Drejtorëve të AKP-së miratoi 5 dhe refuzoi 17 shitje të aseteve
Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën ka diskutuar për një numër çështjesh të parapara në agjendë dhe ka marrë disa vendime në lidhje administrimin, privatizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore.
Bordi nga fushëveprimi i vetë aprovoi kërkesën për transferimin e pronës së NSh Drenica (PRN011), Gllogoc me detajet e pronës: Prona e paluajtshme nr. 244-0 ZK Sankoc për realizimin e projektit “Ndërtimi i Fabrikës së riciklimit dhe përpunimit të nën-produkteve shtazore për nevoja të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV)”, që titulli pronësor të kalojë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës/Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në përputhje me Vendimin Përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Shpronësim nr. 04/58, të datës 12 nëntor 2015.
Bordi diskutoi edhe për disa asete që shfrytëzohen për interes publik, për të cilat u vendos që të hiqet dorë (18 parcela) dhe të barten në komunat përkatëse pasi të aprovohen nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, si dhe vendosi për një numër të qiradhënieve direkte të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore.
Në vijim të mbledhjes, Bordi shqyrtoi rezultatet e ofertave të pranuara për pronat që ishin në tender në shitjen e aseteve përmes likuidimit nr. 68 ku miratoi 5 dhe refuzoi 17 shitje të aseteve. Po ashtu u shqyrtua dhe u aprovua lista e aseteve për shitjen nr. 69 (ShAL 69), e cila do të shpallet ditëve në vijim.
Ne këtë mbledhje u shqyrtuan dhe u aprovuan raportet e shpërndarjes në likuidim për Nsh “Industria e Duhanit Gjilan – Tobacco” dhe NSh “Ratar”. Bordi shqyrtoi edhe raportin mujor të menaxhmentit, me theks të veçantë atë për Nsh Ineks Brezovica, si dhe çështjet e zbatimit të vendimeve të Bordit nga menaxhmenti lidhur më përgatitjet sa më të mira për sezon.
Më tutje, Bordi diskutoi dhe miratoi amandamentimin e Rregullores për Shitje Direkte dhe Rregullores për Ofruesit e Shërbimeve.