Sindikata e Telekomit paralajmëron grevë
Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, ka paralajmëruar grevë, në raste se nuk do të plotësohen kërkesat e tyre deri me 22 korrik.
“FSP-PTK tashmë është përgatitur për t’u përballur me situatën e fundit të krijuar në Telekomin e Kosovës. Pas të gjitha paralajmërimeve tona të drejtuar si menxhmentit të Telekomit të Kosovës, ashtu edhe qeverise, si përmes peticionit të marsit të këtij viti ashtu edhe përmes protestës së qershorit, FSP-PTK, i ka treguar hapat e saj në kundërshtim të çfarëdo kontratë të re me “Z-Mobile”. Lidhur më këtë situatë, kuvendi i FSP-PTK me datën 12 korrik 2019 ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme. Në seancë Kuvendi i FSP-PTK i analizoi edhe të 3 raportet profesionale, të cilat njëzëri dokumentojnë dëmet afër 200 milion euro që Telekomi i Kosovës i ka pësuar nga kontrata 10-vjeçare me Z-Mobile, si: analizën e kompanisë “Mazars”, Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Telekomine e Kosovës, si dhe raportin e ekspertëve të “VALA”, të angazhuar nga sindikata”, thuhet në komunikatën e FSP-PTK.
Sipas kësaj komunikate, bazuar në këto të dhëna dhe bazuar në zotimet e saj për ta mbrojtur me çdo kusht interesin e Tekomit të Kosovës, kuvendi i FSP-PTK ka dal me kërkesa të qarta ndaj menaxhmentit të Telekomit të Kosovës dhe Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, si dhe i ka bërë publike hapat e mëtutjeshëm që sindikata do t’i ndërmarrë në kundërshtim të çfarëdo kontrate me “Z-Mobile”.
“Prandaj, duke u thirrur në statutin e tij, konkretisht në nenin 33 (Pjesëmarrja në grevë), nenin 34 (Arsyet e mbajtjes së grevës) – paragrafi 1.1 dhe paragrafin 1.4, si dhe duke u bazuar në ligjin për Greva në Republikën e Kosovës (Nr.03/L-200), neni 7 (Arsyet e mbajtjes së Grevës) – paragrafi 1.1, 1.4 dhe 1.6, kuvendi i FSP-PTK mori këto vendime: Pasi kontrata aktuale me “Z-Mobile”, skadon me 30 korrik, Menaxhmenti dhe Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës deri me datën 22 korrik 2019 të bëjnë publike njoftimin kundër çfarëdo kontrate të re me “Z-Mobile”, si dhe ta njoftojnë ARKEP-in me këtë vendim; Nëse deri me 22 korrik 2019 nuk publikohet njoftimi kundër çfarëdo kontratë të re me “Z-Mobile”, atëherë me datën 23 korrik 2019 FSP-PTK do ta aktivizojë këshillin e saj grevist; Nëse kërkesa jonë nuk plotësohet, me datën 29 korrik 2019 fillon greva e përgjithshme e FSP-PTK, gjatë së cilës ne do të vazhdojmë t’i kryejmë të gjitha obligimet tona për t’u ofruar shërbime konsumatorëve tanë të VALA, por pas datës 30 korrik nuk do t’u ofrohet më asnjë shërbim konsumatorëve të “Z-Mobile”. Për të gjitha konsekuencat e mundshme si pasojë grevës, FSP-PTK nuk do të jetë përgjegjëse”, është thënë në komunikatën e FSP-PTK.