Bordi i KOSTT-it mori paga dhe shtesa në mënyrë të kundërligjshme
Anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) kanë marrë vendim që t’ia ngritin pagën vetës në mënyrë të kundërligjshëm, gjashtë muaj para se të merrej vendimi në Kuvendin e Kosovës. Anëtarët e Bordit të KOSTT-it nuk u ndalën me kaq, e shpërblyen vetën edhe me nga 90 euro për çdo mbledhje që kishin mbajtur. Kështu u konstatua të mërkurën në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, ku u shqyrtua raporti vjetor financiar i KOSTT-it për vitin 2016
Komisioni për Buxhet dhe Financa, i kryesuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shqyrtuar raportin vjetor financiar të KOSTT-it, Projektligjin për infrastrukturën kritike, ndryshim-plotësimin e Ligjit për kufirin shtetëror, Projektligjin për shoqëritë tregtare etj.
Në këtë komision, raporti vjetori financiar i KOSTT-it është pritur me shqetësim si nga deputetët e pozitës ashtu dhe ata të opozitës për shkak të vendimeve të kundërligjshme që ka operuar ky institucion, sa i përket rritjes së pagave për bordin pa bazë ligjore dhe po ashtu shumës prej 90 euro që bordi i KOSTT-it ka shpërblyer vetën kundërligjshëm për çdo mbledhje që ka mbajtur.
Kryetari i Komisioni për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, ia ka përmendur përfaqësuesve të bordit të KOSTT-it vendimet antiligjore në bazë të cilave kanë operuar. “Kuvendi kishte vendosur që pagat të rriteshin në dhjetor, kurse bordi drejtorëve të KOSTT-it ia ka rritur pagat vetës gjashtë muaj para se të merrej vendimi. Po ashtu, ia ka caktuar vetës ka 90 euro për çdo mbledhje që kanë mbajtur. Pesë mbledhje në vit i ka mbajtur ky bord. Pra pos pagave të majme kanë marrë edhe para për mbledhje”, ka thënë Abdixhiku, raporton “Epoka e re”.
Kurse, Gani Jashari kryesues i drejtorëve të bordit të KOSTT-it, ka thënë se nga Qeveria e Kosovës janë shkarkuar tre anëtarë dhe, sipas tij, ky institucion nuk është në gjendje të mirë.
I zëshëm në këtë drejtim ishte dhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, i cili ka bërë me dije se para se të emërohen në këtë bord, anëtarët kanë përdorur ndikime të shumta. Sipas tij, anëtarët e bordit të KOSTT-it pos që kanë paga të larta, ata marrin edhe shtesa për mbledhjet që kanë mbajtur. “Këta e kanë ditur se nuk kanë bazë ligjore për rritje të pagave dhe kanë intervenuar bajagi kur kanë hyrë në punë”, ka thënë Hoti.
Ai ka kërkuar edhe zgjidhje për bllokimin e linjës së interkonjuksionit me Shqipërinë si dhe për kamatën e kredisë që paguajnë qytetarët.
Edhe deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj, ka dhënë kritika në drejtim të përfaqësuesve të KOSTT-it. “Vendimi është marrë me 7/12 dhe paga ka qenë bukur e mirë për një bord joekzekutiv. Pagat janë nga 1 350 euro deri në 1 550 euro dhe pos këtyre janë marrë edhe shtesa prej 90 euro për mbledhjet që kanë mbajtur. E gjithë kjo është e kundërligjshme dhe shqetësuese. Gjithashtu kemi pas raste kur ndërmarrjet publike kanë dalë në fitim dhe pastaj fitimin e kanë ndarë individët mes vete. Për këto paga dhe shtesa duhet të vendos gjykata dhe pastaj të shihet nëse ato mjete duhet t’i kthehet buxhetit të Kosovës”, ka thënë Hadergjonaj.
Albulena S. MAVRAJ