Bordi i ri i AKP-së vazhdon të marrë paga të majme si bordi i mëparshëm
Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, gjatë shqyrtimit të raportit vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2020, është konfirmuar se bordin i ri i AKP-së ende vazhdon të ketë shpenzime të larta, rreth 20 mijë euro për një mbledhje.
Kryesuesi i Bordit të AKP-së Nazmi Mikullovci, ka konfirmuar se Rregullorja për pagesat e anëtarëve të Bordit mbetet në fuqi.
Mikullovci duke iu përgjigjur deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se më 27 shtator në mbledhjen e Bordit do të shqyrtohet Rregullorja për pagesat e bordit të AKP-së. Ai ka thënë se ky bord ka mbajtur deri tash dy mbledhje.
Deputeti Hoti ka theksuar se derisa vazhdon të jetë në fuqi rregullorja për kompensimin e anëtarëve të Bordit me paga të larta, shihet se nuk ka pasur bazë urgjenca e Qeverisë Kurti për shkarkimin e Bordit të AKP-së në fillim të mandatit.
Ndërsa gjatë raportimit, drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj, ka theksuar se AKP-ja më 2020 ka shpenzuar rreth 7 milionë euro, prej tyre mbi 5 milionë vetëm për paga dhe mëditje.
Tolaj duke iu përgjigjur kryetarit të komisionit, Armend Muja për proceset e arbitrazhit, ka thënë se AKP-ja ani se këto ditë ka fituar një rast në arbitrazh, megjithatë në proces gjyqësor ndërkombëtar, AKP-ja mbetet me “Sharrcem-in”.
“Jemi në pritje të vendimit të arbitrazhit në favor të AKP-së për rastin e ‘Sharrcem’-it, presim që ta fitojmë edhe këtë të drejtë sikur në rastin kompanisë së Goleshit. Prej kësaj të fundit kemi qenë të rrezikuar t’i humbasim miliona euro, por që nuk ka ndodhur”, ka thënë ai.
Në këtë mbledhje nuk është votuar raporti financiar për vitin 2020 i AKP-së pasi nuk ka pasur kuorum. /Ksp/