Bordi i ZRrE-së merr vendimin final për Certifikimin e KOSTT-it
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), në mbledhjen e së enjtes, ka marrë vendimin final për Certifikimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST – KOSTT).
Ky vendim vjen pas nxjerrjes së Opinionit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (SKE), në vendimin preliminar të Bordit të ZRrE-së, të marrë me 24 shtator 2018, me të cilin Bordi kishte vendosur se OST-KOSTT përmbushë kriteret për t’u certifikuar si Operator i pavarur i Transmetimit të energjisë elektrike.
“Me vendimin final për certifikimin e OST-KOSTT, i cili mbështetet edhe në Opinionin e SKE, ZRrE-ja ka konfirmuar se ka ndarje të mjaftueshme të kontrollit mbi OST-në, prodhimin dhe/apo furnizimin e energjisë elektrike dhe që ky Operatorë i Transmetimit të energjisë elektrike vepron në përputhje me dispozitat e shthurjes, të përcaktuara me kapitujt IV dhe V të Direktivës 2009/72/EC1, kapituj këta të transpozuar në legjislacionin e Kosovës nëpërmjet nenit 11 të Ligjit për Energjinë Elektrike”, është thënë në njoftimin e ZRrE-së.
Sipas ZRrE-së, me këtë vendim, ZRrE ka vërtetuar se OST, realizon funksionet e tij në mënyrë të pavarur nga çfarëdo biznesi tjetër në sektorin e energjisë dhe rrjedhimisht ofron qasje të lirë dhe jodiskriminuese në rrjetin e transmetimit për të gjithë operatorët e tregut të lirë që operojnë në territorin e Republikës së Kosovës. “Me këtë proces, ZRrE-ja ka përmbushur një nga obligimet më sfiduese që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, duke dëshmuar edhe njëherë se është e përkushtuar në përmbushjen e funksioneve të sajë, për të siguruar një funksionim të duhur të tregut të lirë të energjisë elektrike në përputhje me direktivat e BE-së për energji dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë”, është thënë në komunikatën e ZRrE-së.