Bordi i NPB-së i bën thirrje Shpend Ahmetit të reflektojë
Bordi i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të ndalojë sulmet joetike dhe joligjore ndaj NPB-së dhe t’i kthehet ligjshmërisë.
“Kërkojmë nga kryetari Ahmeti që të kompletojë organet qeverisëse të cilat janë kompetencë e tij dhe e Kuvendit Komunal për të vazhduar më tutje me procedura të rregullta të përzgjedhjes së Bordit të ri”, është thënë komunikatën e NPB-së.
Më tej theksohet se Bordi ekzistues i Ndërmarrjes Publike Banesore është legjitim dhe po vepron sipas neni 171 pika 3 e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, ku thuhet se pavarësisht skadimit të afatit të Bordit të Drejtorëve ai vazhdon me ushtrimin e detyrave të tij përderisa të zgjedhet pasardhësi në mënyrë që veprimtaria e Bordit të veprojë pa pengesë, sikurse edhe në të kaluarën është i gatshëm për bashkëpunim.
“NPB-ja është përkrahës e planeve zhvillimore për NPB-në dhe qytetarëve. Por do të jetë gjithmonë kundër politikave denigruese dhe në kundërshtim më ligjin të cilat bëhen për përfitimin e një pakice. Ndërmarrja Publike Banesore mbetet e hapur dhe transparente për bashkëpunim me të gjitha institucionet për vendosjen e ligjit në vend”, është theksuar në komunikatën Ndërmarrjes Publike Banesore.
/Epoka e re/