Bordit të OSHP-së i skadon mandati, ankesat e operatorëve ekonomikë nuk mund të shqyrtohen
Mandati i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka skaduar më 30 mars 2021. Demokraci Plus (D+) kërkon nga Qeveria e Kosovës që të përmbyllë procesin e konkursit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili është hapur më 12 janar 2021 dhe të konkursit të hapur më 8 prill 2019. Qeveria e Kosovës duhet të dërgojë sa më parë nga dy të propozuar për secilën pozitë, në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të formojë Organin e Pavarur Përzgjedhës e pastaj të procedojë me votim. “Bordi aktual i OSHP-së sipas Ligjit për Prokurimin Publik ka një mandat pesëvjeçar pa pasur mundësi për rizgjedhje. Si rezultat që nga data 31 mars 2021, nuk do të mund të shqyrtohen ankesat e operatorëve ekonomikë ndaj vendimeve të autoriteteve kontraktuese në lidhje me aktivitetet e prokurimit. Një situatë e tillë ka ndodhur edhe më herët, më saktë gjatë periudhës korrik 2013 – mars 2014, ku për rreth 7 muaj nuk janë shqyrtuar fare ankesat në mungesë të anëtarëve të bordit të OSHP-së. Më 27 mars 2014 bordi i ri i OSHP-së kishte refuzuar shqyrtimin e ankesave që ishin grumbulluar për këto 7 muaj me arsyen se ka kaluar afati ligjor prej 34 ditësh për të marrë vendim. Ekziston një rrezik i madh që situata e njëjtë të përsëritet, ku operatorëve ekonomikë ju mohohet e drejta për t’u ankuar jo për faj të tyre”, thuhet në komunikatën e Demokraci Plus.
Ku theksohet më tej se autoritetet kontraktuese mund ta keqpërdorin këtë situatë për të nënshkruar kontrata të dëmshme ose për të favorizuar kompani të caktuara me shpresën se OSHP-ja do të veprojë njëjtë si në të kaluarën pasi të emërohet bordi i ri, pra të mos shqyrtojë fare ankesat që kanë ardhur pas datës 30 mars. “Prandaj, Demokraci Plus i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që sa më parë të përmbyllë konkurset e hapura dhe të dërgojë në Kuvendin e Kosovës nga dy emra për secilën pozitë të anëtarit të bordit të OSHP-së. Kuvendi i Kosovës në momentin që pranon emrat të themelojë sa më parë Organin e Pavarur Përzgjedhës dhe të hedhë në votim emrat e propozuar. Të gjitha këto veprime duhet të bëhen sa më parë në mënyrë që të ketë sa më pak shkëputje dhe operatorëve ekonomik të mos ju mohohet e drejta e ankesës”, theksohet në komunikatën e Demokraci Plus.