Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.
Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.
Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.
Policia e Kosovës e gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pas sulmit.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
“Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, tha Borrell.
Ai nguli këmbë se “nuk ka vend për grumbullim të ushtrisë dhe forcave të sigurisë në kontinentin e Evropës. Forcat duhet të tërhiqen“.
Të premten, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.