Borelli dhe krimi i organizuar në veri: ku janë vlerat evropiane?
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka reaguar rreth situatës së sotme në veri.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” me titull: Borelli dhe krimi i organizuar në veri: ku janë vlerat evropiane?, ka theksuar problemet në veri janë politike dhe për këtë nuk ka asnjë diskutim.
Murati ka thënë se në këtë mënyrë fatkeqësisht, del se BE-ja po i jep krah krimit të organizuar dhe tendencës së Serbisë që të politizojë edhe luftën kundër krimit në Kosovë.
“Problemet në veri në thelbin e tyre janë politike dhe për këtë nuk ka asnjë diskutim. Por deri në zgjidhjen e tyre jeta duhet të zhvillohet e ndër të tjera edhe krimi duhet të luftohet. Por deklaratat e tilla si ajo e Borellit sot, janë jo vetëm të pamatura por edhe pakuptimta e shumë të anshme. Në këtë mënyrë fatkeqësisht, del se BE po i jep krah krimit të organizuar dhe tendencës së Serbisë që të politizojë edhe luftën kundër krimit në Kosovë. Sipas Borellit a i bie që deri në zgjidhjen e problemeve politike në veri duhet toleruar krimi i organizuar apo jo? Deklaratë goxha në ‘përputhje’ me vlerat evropiane”, ka shkruar Murati.