Boris Becker drejt burgut. Përshëndetet i mallëngjyer me familjen
Boris Becker përballet me drejtësinë në një betejë që mund të shkatërrojë përfundimisht figurën dhe jetën e tij. Ish-numri 1 i botës në tenis rrezikon të vuajë 7 vjet heqje lirie pasi fshehu pasurinë edhe pse kishte deklaruar falimentimin.
Gjermani që u dënua nga një gjykatë angleze, ka përshëndetur bashkëshorten dhe djalin e tij përpara gjyqit të apelit që do të zhvillohet ditën e premte dhe ku do të merret një vendim i formës së prerë. Në fotot e publikuara nga mediat britanike, Becker takohet gjithashtu edhe me të fejuarën ku duket qartë se është i prekur.
Ylli gjerman i ka mohuar të gjitha akuzat në dëm të tij por prokurorët kanë vërtetuar transferta parash në llogari të ndryshme për të fshehur gjurmët. Babai i katër fëmijëve deklaroi falimentin në vitin 2017 duke evituar që të paguante detyrimet bankare në Angli.
Për shkak të problemeve me drejtësinë, ish-tenisti ka humbur shuma të mëdha parash pasi BBC apo firma të ndryshme dhe marka botërore, kanë shkëputur të gjitha marrëdhëniet me të.