Boris Johnson jep dorëheqje
09 korrik 2018
| 16:52
Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Ai është ministri i dytë i kabinetit që tërhiqet, për shkak të strategjisë për Brexit-in, apo procesin e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Të dielën vonë ka dhënë dorëheqje edhe sekretari për Brexit, David Davis.
Davis ka thënë se nuk mund të qëndronte më në postin e tij, sepse nuk besonte në planin për marrëdhëniet e ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar me BE-në, i cili është mbështetur nga kabineti britanik, të premten.
Përmes një deklarate, Qeveria britanike e ka falënderuar Johnsonin për punën e tij dhe ka bërë me dije se zëvendësimi do të shpallet shpejt.