Boris Johnson paralajmëron zgjedhje të përgjithshme
Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se do të thërres zgjedhje të përgjithshme në rast se detyrohet të kërkojë një zgjatje të afatit për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Brexiti duhet të ndodhë më 31 tetor, por ligjvënësit britanikë me shumicë votash miratuan marrjen nën kontroll të rendit të ditës në parlament, masë kjo që do t’i lejojë ata të sjellin një projekt-ligj për të kërkuar shtyrjen e Brexit-it.
Kryeministri tha që projektligji i deputetëve do të sillte “më shumë zhurmë, më shumë vonesë, më shumë konfuzion”.
Ai u tha deputetëve se nuk kishte zgjidhje tjetër, përveç se të vazhdonte me përpjekjet për të thirrur zgjedhjet e parakohshme, duke shtuar se “populli i këtij vendi do të duhet të zgjedhë”.
Më herët, kryeministri Johnson e humbi shumicën në parlament pasi deputeti konservator, Philip Lee, zuri vendin e tij në ulëset e opozitës.
“Qeveria konservatore po e vazhdon në mënyrë agresive procesin e Brexit-it me pasoja të dëmshme. Ai po rrezikon kërcënon padrejtësisht integritetin e Britanisë së Madhe”, tha Lee pasi u bashkua me radhët e opozitës në parlament.
Kryeministri, Boris Johnson, u tha deputetëve se ai dëshironte një dalje të negociuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Sipas një projektligji të përgatitur nga opozita dhe deputetët e pakënaqur të Partisë Konservatore në pushtet, kryeministri do të duhej të kërkonte shtyrjen e Brexit-it deri më 31 janar të vitit të ardhshëm, përveç nëse deputetët miratojnë një marrëveshje të re me BE-në ose votojnë për Brexit-it pa marrëveshje.
Marrëveshja e negociuar nga BE-ja dhe ish-kryeministrja britanike, Theresa May është rrëzuar nga parlamenti britanik tri herë radhazi.
Ajo më pas dha dorëheqje nga pozita duke u pasuar nga Boris Johnson.