Boris Johnsoni fillon formimin e qeverisë së re
Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka nisur mandatin e tij të mërkurën duke formuar kabinetin e ri qeveritar.
Në mesin e emrave të parë të përmendur në kabinetin e tij ka qenë Sajid Javid, i cili është emëruar në pozitën e kancelarit britanik, i cili njihet si mbështetës i procesit të Brexitit, apo largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Si ministër i Jashtëm është emëruar Dominic Raab, derisa këtë pozitë deri disa orë më parë e ka mbajtur Jeremy Hunt.
Ky i fundit ka dhënë dorëheqje nga pozita që ka mbajtur pasi kryeministri i ri i ka ofruar një pozitë tjetër ministrore, që për të ka qenë e papranueshme.
Në mesin e emrave të rinj të kabinetit qeveritar është edhe Priti Patel, e cila është ngarkuar me pozitën e ministres së Brendshme në Britani.
Një nga çështjet kyçe të kësaj qeverie konsiderohet finalizimi i procesit të Brexit-it, meqë Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti.
Kryeministri i ri britanik ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.
Megjithatë, në fjalimin e parë si kryeministër, Johnsoni thënë se dëshiron të hartojë një marrëveshje të re me BE-në, lidhur me Brexitin.
Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.