Boris Tadiqi thotë se duhet të rishikohet marrëveshja e Brukselit
Ish-presidenti i Serbisë dhe lideri i Partisë Social Demokratike, Boris Tadiq, ka deklaruar se kurrë nuk ka qenë në favor të ndarjes së Kosovës, por se ai e ka pranuar një zgjidhje në bazë të etniteteve.
Ai ka vlerësuar se duhet bërë rishikimi i marrëveshjes së Brukselit, ani pse e konsideron atë si “jashtëzakonisht të rrezikshme”.
“Unë mendoj se duhet të hyhet rishikimin e marrëveshjes së Brukselit dhe se ky është një moment shumë i rëndësishëm, por tani është një situatë shumë e rrezikshme, sepse çdo marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar është shumë e vështirë për t’u rishikuar pa pasoja të caktuara për ata që e dëshirojnë atë”, ka thënë Tadiqi për “Radio Televizionin e Vojvodinës”, transmeton “Klan Kosova”.
Ai ka thënë se sot pozicioni serb në kuptimin ndërkombëtar nuk është më mirë se sa ishte, sepse sipas tij mbështetësit e Serbisë në çështjen e Kosovës – “Kina dhe Rusia kanë pozicione të ndryshme”.
Tadiqi ka ritheksuar se kurrë nuk ka qenë për konflikt të ngrirë, por se ai donte një kompromis dhe zgjidhje të drejtë që do të jetë me interesat e palës shqiptare.
“Doja një zgjidhje. Unë nuk jam për pavarësinë e Kosovës. Plani im nënkuptonte që Serbia të mbajë sovranitetin mbi Kosovën dhe Metohinë, dhe se nuk ka vend për Kosovën dhe Metohinë në Kombet e Bashkuara. Ky është pozicioni im sot, por edhe për të gjetur një zgjidhje për interesin e palës shqiptare”, ka thënë Tadiqi.