Borisovi tallet me Putinin
Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, ishte i zemëruar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili kishte deklaruar se Bullgaria ishte përgjegjëse për zvarritjen e projektit të tubacionit të gazit nga Turqia. Putini ua zë për të madhe bullgarëve, po ashtu, besnikërinë ndaj NATO-s dhe BE-së, tha Boris. “Bullgaria respekton procedurat e BE-së. Ne nuk jemi Serbia, as Rusia e as Turqia. Ne kishim respektuar procedurat e tenderit të cilat i aprovoi Komisioni Evropian” – tha Borisov për BTV.
Sipas kryeministrit bullgar Borisov, Putini me siguri ka informacion të vjetërsuar kur bëhet fjalë për tubacionin e gazit nga Turqia. “Ne kemi mihur gati 150 kilometra, po vendosen tubacionet dhe ndërtimi po vazhdon” tha Borisov, duke theksuar se së bashku me ministrin serb të energjetikës kanë vizituar një pjesë të tubacionit.
Borisov tha se, nëse është i interesuar, Putini mund të vijë e të vërtetohet vetë rreth punimeve. “Jeni i mirëseardhur të shkojmë e të shohim se me çfarë shpejtësie po kryhen punimet. Mesatarja e ndërtimit është pesë kilometra në ditë, filluam vonë pasi duhej kaluar shumë procedura. Po të ishim Serbia e Turqia, eksportuesi do të zgjidhej pa tender” vlerësoi ai.