Borovci për komandant ‘Calin’: Jam i bindur në pafajësinë dhe pastërtinë e tij
Hazir Borovci ka vazhduar të enjten dëshminë e tij në Gjykatën Speciale, ku ka përsëritur se është i bindur në pafajësinë dhe pastërtinë e Salih Mustafës, i cili po mbahet në paraburgim nën akuzat për krime lufte.
Borovci, i cili është dëshmitari i katërt i mbrojtjes së komandant “Calit”, ka deklaruar para trupit gjykues se takimet me Mustafën i kishte të shpeshta gjatë luftës dhe jo pa arsye.
“E kam thënë dje dhe e them edhe sot. E kam pasur shok dhe fqinj, kemi pasur shtëpitë afër. Se e kam shok dhe fqinj, kjo nuk ndryshon asgjë në dëshminë time”, ka deklaruar ai.
I pyetur rreth deklaratave të Salih Mustafës në Speciale, Borovci ka thënë se është pak në dijeni për to, ndërsa ka shtuar se rreth deklarimeve të Mustafës është informuar nga mediat.
“Nuk jam marrë shumë me deklarata. Ajo ishte risi që për herë të parë e dëgjova. Përjashto mediat nga të cilat jemi informuar. Mbase duke qenë i bindur në pafajësinë dhe pastërtinë e Salih Mustafës… Kam dëgjuar dhe lexuar nga mediat, nuk kam pasur asnjë informacion tjetër nga askush”, ka thënë Borovci.