Borrell bisedon me Vuçiqin për “punën e rëndësishme” midis BE-së dhe Ballkanit
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Biseda u zhvillua me iniciativën e Borrellit, i cili i tha Vuçiqit se përpara i pret një punë e rëndësishme për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.
“Ne duam të llogarisim te Serbia si një kandidate të sinqertë dhe partnere të besueshme evropiane për parimet, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët”, shkroi Borrell në llogarinë e tij në “Twitter”.
Called @predsednikrs Vucic. Important work for EU-Western Balkans ahead; want to count on Serbia as a sincere candidate & reliable European partner for common principles, values, security & prosperity. Also addressed regional issues & #BiH, incl importance of upcoming elections.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) June 7, 2022
Biseda midis Borrellit dhe Vuçiqit ndodhi teksa ky i fundit gjendet në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në takimin e radhës të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nën presion të madh nga Bashkimi Evropian, i cili i kërkon Beogradit që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, në përputhje me vendimet e bllokut në përgjigje të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Serbia, shtet kandidat për anëtarësimin në BE, është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.