Borrell i dorëzon Kosovës dhe Serbisë një propozim për dalje nga kriza

14 nëntor 2022 | 10:18

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale.

“Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, [të cilin] duhet ta shqyrtojnë [palët]”, tha Borrell para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, që do të mbahet në Bruksel.

Ai nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi e as kur është dorëzuar.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë aktualisht janë të larta, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe, raporton Rel.

Këto makina, rreth 9.000 sosh, qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, ndërsa Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aeroplan me 200 pasagjerë në bord bëri ulje emergjente…