Borrell informon liderët e BE-së për tensionet Kosovë-Serbi
Përfaqësuesi i lartë për politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të informojë liderët e 27 shteteve anëtare të bllokut për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, në samitin që mbahet më 15 dhjetor në Bruksel.
Paraprakisht, situata në Kosovë, nuk kishte qenë e paralajmëruar të ishte në agjendë.
“E dini se ditëve të fundit jemi përballur me probleme të mëdha në veri të Kosovës. E kam dërguar të dërguarin e posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë Serbi] Mirosllav Lajçak në rajon, në Prishtinë dhe Beograd, menjëherë pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së. Do t’iu raportoj liderëve për situatën dhe do të kërkoj uljen e tensioneve dhe t’i kthehen dialogut, që është rruga e vetme për të siguruar perspektivë evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Borrell.
Që nga 6 dhjetori, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Disa serbë lokalë, më 10 dhjetor ngritën barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, të cilin Kosova thotë se dyshohet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri, raporton Rel.
Ndërkaq, sa i përket konkluzioneve nga samiti të BE-së, liderët evropian pritet të konfirmojnë dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën.
Ministrat e Jashtëm të BE-së më 13 dhjetor arritën pajtim për dhënien e statusit të kandidatit për Bosnjën, por ky vendim formalisht do të konfirmohet nga shefat e shteteve apo qeverive të shteteve anëtare të bllokut.
Borrell po ashtu tha se dhënia e statusit të kandidatit, është një hap i rëndësishëm për Bosnjën, por për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Do të flas edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor. Në Bosnjë e Hercegovinë, mbështes fuqishëm statusin e kandidatit. Do të jetë një rast i mirë për liderët e Bosnjë e Hercegovinës që të shtyjnë përpara reformat”, tha Borrell.
Ndryshe, Kosova më 15 dhjetor dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në ceremoninë e mbajtur në Pragë të Çekisë – shteti që udhëheq Presidencën e BE-së – kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se aplikimi i Kosovës është “e jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë”.