Borrell insiston në grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin serb
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se është e rëndësishme që qytetarët serbë në Kosovë që kanë të drejtë vote, të mund ta ushtrojnë këtë të drejtë gjatë referendumit për ndryshimet kushtetuese në Serbi, që mbahet të dielën më 16 janar.
Ai tha se edhe në të kaluarën, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka lehtësuar grumbullimin e votave të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.
“Dje kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, tha Borrell përmes një postimi në “Twitter”.
Spoke to @albinkurti & @predsednikrs yesterday regarding the collection of votes in Kosovo for Sunday’s constitutional referendum in Serbia.
Collection of votes in the past has taken place through facilitation of the @OSCE. People should be able to exercise their right to vote.— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) January 13, 2022
Kosova ka thënë se qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë do të mund të votojnë vetëm përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse serbe në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”.
“Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell unë shpreha qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”, ka shkruar Kurti në “Twitter” pas një bisede me Borrellin më 12 janar.
On a call w/ EUHR @JosepBorrellF, conveyed our stance: Serbs in Kosova w/ dual citizenship can vote in Serbia’s referendum by mail or in the liaison office in Prishtina. A referendum in the sovereign territory of another state is not a practice accepted by any democratic country. pic.twitter.com/xNza0pCUex
— Albin Kurti (@albinkurti) January 12, 2022
Në selinë e BE-së në Bruksel thanë se votimi i serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe këto votime i ka mbikëqyrur dhe asistuar OSBE-ja.
“Ndonëse nuk ka një obligim nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, është bërë një praktikë që palët të komunikojnë përmes OSBE-së para çfarëdo zgjedhjesh dhe të pajtohen që OSBE të mbledhë fletëvotimet”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke përmendur zgjedhjet e zhvilluara në Serbi, për të cilat janë “mbledhur votat” edhe në Kosovë.
Ndërkaq, sipas profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, Qeveria e Kosovës ka të drejtë që të mos lejojë organizimin e referendumit të Serbisë në Kosovë.