Borrell: Kosova dhe Serbia të nisin zbatimin e marrëveshjes për normalizim
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet që pa vonesa të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve.
“Të dyja palët ranë dakord për këtë rrugë drejt normalizimit më herët këtë vit. Kjo është diçka e detyrueshme për ta dhe kërkohet nga palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në këtë zbatim. Dhe shpresoj që së shpejti të nxjerrim një deklaratë me konsideratat e ministrave për këtë dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Borrell.
Ai shtoi se ajo çfarë kërkojnë ata si BE është “që të fillohet zbatimi në bazë të propozimit tonë pa vonesa të mëtejshme, dhe kjo përfshin detyrimin e të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e kaluara të dialogut”.
Këto komente Borrell i bëri pas takimit jo formal të zhvilluar në New York me ministrat e Jashtëm të BE-së. Borrell theksoi se ministrat shprehën shqetësim për mungesën e zbatimit të marrëveshjes për normalizim, derisa shprehën mbështetjen e tyre të fuqishme për të dhe emisarin Lajçak.
“Ministrat shprehën mbështetje të fortë për Përfaqësuesin e Lartë për lehtësimin e dialogut dhe për Përfaqësuesin Special, Miroslav Lajçak. Shprehën shqetësimin për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Normalizimi është një proces, është një rrugë, dhe është zbatim”, ka shtuar ai.