Borrell: Ndryshimet kushtetuese i hapin rrugë anëtarësimit të Shkupit në BE

17 mars 2023 | 15:22

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut mundëson hapjen e kapitujve për anëtarësimin e Shkupit në bllokun evropian.

“Ky vit është vendimtar për Maqedoninë e Veriut, andaj të gjitha partitë duhet të marrin përsipër përgjegjësitë”, tha Borrell gjatë një konference për media në Shkup.

Borrell, së bashku me komisionarin e BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, morën pjesë në takimin me autoritetet maqedonase në takimin e Këshillit për Stabilizim Asociim mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

“Maqedonia e Veriut mori për obligim që të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë në të edhe qytetarë që jetojnë në kufijtë e shtetit dhe që janë pjesë e nacionaliteteve të tjera, siç janë bullgarët”, tha Borrell.

Ai përmendi shembullin e Kroacisë, e cila në Kushtetutën e saj ka përfshirë 22 bashkësi të ndryshme që jetojnë në shtet.

“Shteti juaj tani paraqet një shembull të shkëlqyer për sa i përket shoqërisë multietnike. Për këtë arsye ndryshimi i Kushtetutës, vetëm se do t’i përparojë të drejtat themelore, dhe nuk dyshoj se me këtë do të ruhet identiteti maqedonas dhe njëkohësisht të shënojë përparim procesi i integrimit”, theksoi Borrell, raporton REL>

Zyrtari i lartë evropian tha se me ndryshimet kushtetuese nuk do të vënë në rrezik identitetin maqedonas.

“Identiteti juaj do të jetë i mbrojtur. Nuk do të jeni më pak se kjo që jeni, por vetëm do të bëheni pjesë e BE-së”, tha ai.

Kërkesa për ndryshimet e Kushtetutës, përkatësisht përfshirjen e pakicës bullgare në preambulë si popull shtetformues, vjen nga marrëveshja me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

Borrell po ashtu theksoi se për herë të parë në Shkup po mbahet takimi i Këshillit për MSA-në, pasi takime të tilla më herët janë mbajtur në Bruksel. Ai tha se kjo duhet të shihet si një sinjal i fuqishëm politik për qasjen që ka BE-ja ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Është shumë e rëndësishme që tani shteti juaj të mos ngadalësojë hapat, por të përshpejtojë me realizimin e detyrimeve, realizimin reformave veçanërisht ata që jenë me interes për qytetarët, siç është sundimi i së drejtës, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si çështje thelbësore të demokracisë”, theksoi ai.

BE-ja, sipas tij, do të sigurojë edhe 9 milionë euro për Armatën maqedonase.

Duke folur për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, porositi partitë parlamentare se dinamika e procesit të anëtarësimit është në duart e deputetëve.

“Sot do të realizojmë takim edhe me përfaqësuesit e popullit dhe besoj se nuk do të ketë asnjë pengesë për përshpejtimin e reformave të nevojshme”, tha Varhelyi.

Por, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se vendi i tij është i gatshëm dhe ka kapacitet që të bëhet pjesë e BE-së më 2023. Ai këtë e bazoi në përkushtimin e shtetit për zbatimin e reformave që i janë vënë si detyrë nga Brukseli.

“Puna e Qeverisë është vendosur në rrugën evropiane dhe pavarësisht sa mund të tringëllojmë ambicioz, besojmë se kemi kapacitete politike që pas përfundimit të procesit të verifikimit në nëntor, me një dinamikë të hyjmë më procesin negociues, dhe në vitin 2030 të bëhemi anëtare e plotë e Bashkimit Evropian”, tha Kovaçevski.

Maqedonia e Veriut e ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim 22 vjet më parë. Atëbotë, pritjet e autoriteteve maqedonase ishin që rruga e shtetit drejt bllokut evropian të realizohej me një dinamikë të përshpejtuar.

Dy dekada më vonë, kursi i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet i paqartë, pasi ende shteti nuk arrin të përmbushë kushtin e vendosur pas miratimit të marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes, që njihet si “propozimi francez” në të cilin parashihet përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën maqedonase.

Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë, më 2022 nisën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

/Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se…