Borrell: Sanksionet ekonomike do t’i dhembin shumë Rusisë

23 shkurt 2022 | 08:38

Bashkimi Evropian në sfondin e përshkallëzimit në konfliktin Rusi-Ukrainë ka vendosur sanksione të reja. Edhe G7-ta ka reaguar me sanksione ndaj veprimeve të Moskës.

BE-ja është pajtuar që 27 persona dhe institucione ruse, që kërcënojnë njësinë territoriale të Ukrainës, të përballen me sanksione, deklaroi i ngarkuari evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell. Edhe bankat, që financojnë misionet në territoret e separatistëve janë të prekura nga këto masa. Qëllimi është që të kufizohet qasja e shtetit rus në tregun e financave të BE-së.

Sanksionet do të hyjnë në fuqi këtë javë.

Borrell theksoi, se “sanksionet ekonomike do t’i dhembin shumë Rusisë”.

Sanksione edhe nga G7

Edhe vendet e industrializuara të grupit G7 kanë rënë dakord për një paketë sanksionesh të ashpra.

“Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 dënuan ashpër shkeljen e marrëveshjeve ndërkombëtare nga Rusia”, shkruan në Twitter ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss.

Si reagim ndaj këtyre zhvillimeve janë pajtuar për masa të koordinuara ndëshkuese me ashpërsim në rritje.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock deklaroi se vendet e G7 dhe BE-ja janë në unanimitet lidhur me qëndrimin e mëtejshëm ndaj Rusisë.

Baerbock tha se ka parë “një vendosmëri të madhe” gjatë konsultimeve në Paris të shteteve të G7 dhe të BE-së.

“Ne deshëm ta parandalonim këtë situatë”, por Rusia tani vendosi për të kundërtën.

Londra vendos sanksionet e para

Britania e Madhe reagoi pas përshkallëzimit të situatës mes Rusisë dhe Ukrainës me sanksione ekonomike ndaj Moskës.

Kryeministri Boris Johnson deklaroi në dhomën e ulët të parlamentit, se pesë banka ruse dhe tre oligarkë rusë do të ngarkohen me sanksione si ngrirja e pasurive të tyre si ndalimi i udhëtimit të tyre në Britaninë e Madhe.

Të tjera sanksione mund të pasojnë në rast se do të vazhdojë përshkallëzimi. /Deutsche Well/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvendosin avionët luftarakë…